Beteja për portin e Durrësit/ Buxhuku: Deputetët para se të ngrenë kartonin duhet të dinë nëse ka interes për qytetarët

Gjergj Buxhuku, kreu i Kofindustrisë në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Siklajda Shorja foli rreth projektit të portit të Durrësit.

Sipas tij nëse do të ishim të qartë se përse dhe sa vlen një projekt i tillë nuk ka asnjë arsye për të thënë jo.

Gjergj Buxhuku: Si për portin e Durrësit por dhe në përgjithësi, i vetmi kriter që shkon në interesin publik dhe që është domosdoshmëri është që deputetët para se të ngrenë kartonin për pro ose kundër duhet të dinë nëse ka interes afatgjatë për qytetarët. Nëse do të ishim të qartë se përse dhe sa vlen një projekt i tillë nuk ka asnjë arsye për të thënë jo.

Buxhuku shikon dhe anët e tjera që mudn të ndikojnë pozitivisht sa i përket këtij projekti.  

Gjergj Buxhuku: Projekti i portit të Durrësit si ide ka gjasa që të jetë me leverdi. Në mes të një qyteti kemi pirgje të mëdha mineralesh hekurishtesh që nuk kanë vend të jenë në një port që ka mundësia të mëdha zhvillimi. Ne nuk mund ta themi duke e parë me sy këtë. Është detyrë e qeverisë që studime të tilla ti përgatisë me seriozitet maksimal dhe pastaj t’ja vë në dispozicion deputetëve, grupet e interesit dhe qytetarëve.

Ai thotë se është mirë të shtyhej marrëveshja për tu bërë një studim i ri tërësor.

Gjergj Buxhuku: Kur themi se mungon një projekt fizibiliteti kjo është e rëndë. Kemi parë disa shifra të hedhura për të përligjur marrëveshjen. Marrëveshja që po kalohet sot ngre pikëpyetje nga ana financiare që është e papranueshme të mos ishin në tavolinën e deputetëve shqiptarë. Nuk është bërë studim i mirëfilltë ndaj do të ishte mirë të shtyhej marrëveshja për tu bërë një studim i ri tërësor.