Ramën dhe Spiropalin në Shkodër më shumë i shqetësojnë raportimet e medieve sesa përmbytjet

Kryeministri Rama u ndal ditën e sotme në Shkodër, tek Harku i Bërdicës për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit.

Rama tha se është shtrembërimi  i qëllimshëm që i bëhet situatës nëpër kanale, nëpër portale, si një tërbim edhe një kombinim i padijes me ligësinë që këtu është bërë një kiamet i madh.

Rama e Spiropali duket se u kujdesën më shumë që të merrej me mediet që kanë raportuar për përmbytjet dhe akuzat e opozitës për hapjen e kaskadës, sesa vetë përmbytjet.

Rama: Nga informacioni që mora unë para një ore, do ketë sërish reshje të tjera, fillojnë nga mesnata dhe vazhdojnë prapë gjatë natës, do ketë pak problem. Por ajo që është për të vënë duart në kokë, është shtrembërimi  i qëllimshëm që i bëhet situatës nëpër kanale, nëpër portale, një tërbim edhe një kombinim i padijes me ligësinë që këtu është bërë një kiamet i madh, ndërkohë që krahasuar me të pakrahasueshmen në fakt të 2010-ës, është një situatë e paimagjinueshme domethënë, s’ka krahasim.

Nga pikëpamja e reagimit institucional në kuptimin e gjithë strukturave që ka vënë shteti këtu, nuk kemi çfarë të diskutojmë sepse këtu është një sistem dhe vihet në lëvizje e gjitha vetvetiu sipas niveleve të planit. Kanë bërë sakrificë si gjithmonë domethënë pa asnjë rezervë. Kjo është, pa diskutim, ajo që duhet thënë. Sidoqoftë,  prapë janë hektarë të përmbytur, por të mos harrojmë që në rast se në zonat e tjera ne kemi një ndryshim komplet të sistemeve të kanalizimeve, të kullimeve etj. etj., këtu është bërë, çfarë është bërë nga strukturat qendrore, ndërkohë që në nivel të strukturave vendore me thënë të drejtën kemi pasur gjithmonë problem dhe nuk dua fare as të fajësoj njeri, as të t’i vë gishtin njeriu, po faktikisht të thuash se kjo erdhi si rezultat se u përmbyt dynjaja, u bë kiameti nga kaskada, ky është një skandal më vete.