Kosovë, Lista Serbe kthehet në Kuvend

Pak javë pasi vendosën të bojkotonin të gjitha instuitucionet shtetërore, përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë pranojnë dështimin e presionit të tyre për pengimin e reciprocitetit për rivendosjen e targave të automjeteve serbe që futen në Kosovë. KJo pasi Lista Serbe është rikthyer këtë të enjte në Kuvend, ndërsa thonë se ky vendim bëhet për të penguar kryeministrin Kurti që të ndryshojë Kushtetutën.

Ka dështuar presioni i përfaqësuesve politikë serbë në Kosovë. Kur kanë dy javë nga bojkoti i të gjitha institucioneve në shenjë proteste kundër vendimit qeverisë Kurti për rivendosjen e targave të kosovës për automjetet që hyjnë në Serbi, nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe u betuan këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës, duke zëvendësuar kështu deputetët e dorëhequr ditë më parë.

Në një sqarim për mediat, Lista Serbe shprehet entuziaste se vendimi në fjalë është strategjik, pasi ka penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë.

Më tej thuhet se synimi i kryeministrit Kurti dhe i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviçit ishte të votonin ndryshimet kushtetuese, që sipas Listës që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj.

Partia më e madhe serbe në Kosovë e cila ka mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar, ka shtuar se ky vendim në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së Brukselit.