Targat ilegale, Bashkimi Evropian fton Kurtin e Vuçiç në Bruksel
Tensionet e mundshme që pritet të rikthehen në veri të Kosovës për shkak të vendimit për targat ilegale ka detyruar Bashkimin Evropian të thërrasë Kurtin e Vuçiç në Bruksel. Takimi i thirrur nga Borrej është urgjent megjithëse nuk ka ende një datë, pritet konfirmimi në Prishtinë e Beograd.
Targat ilegale në Kosovë do të diskutohen në Bruksel në nivelin më të lartë të dy shteteve fqinje.
Zëdhënësi i kryediplomatit të bllokut evropian Xhosef Borrej, Peter Stano ka njoftuar se ka ftuar në Bruksel kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç për të diskutuar për temën e nxehtë.
Ai nuk ka dhënë një datë për takimin e dy liderëve, por tha se ko do të ndodhë shumë shpejt.
"Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen. Shpresoj se do të vijnë shumë shpejt, dhe do të diskutojnë, siç ka thënë edhe kryediplomati Borell, para 21 nëntorit dhe jo më vonë," tha ai.
As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur që kur Prishtina ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të ri-regjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut kanë braktisur institucionet e Kosovës.