Zgjedhjet në veri të Kosovës, serbët rrëzojnë propagandën e Vuçiç
Qytetarët e minoritetit serb në veri të Kosovës thonë se do të votojnë në 18 dhjetor për të zgjedhur kryetarët e Komunave serbe të cilët u dorëhoqën 10 ditë më parë. Ata nuk i dinë se kush i ka shkruar parrullat që bëjnë thirrje për rezistencë ndaj vendimit për targat ilegale.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat serbe në veri të Kosovës të paralajmëruara nga presidentja Vjosa Osmani për në 18 dhjetor i ka ndarë opinionet e qytetarëve serbë.
Disa qytetarë serbë kanë rrëzuar propagandën e Beogradit të cilët e paraqesin popullin e veriut të Kosovës si njerëz me të drejta të privuara nga qeveria Kurti.
Duke mos komentuar vendimin e punonjësve serbë në institucionet e Kosovës për t’u dorëhequr, ata thonë se zgjedhjet duhet të mbahen.
"Unë ndihem plotësisht i sigurt, pavarësisht të gjitha ngjarjeve. Është qetë dhe më shumë se kaq. Mund të ketë tensione, barrikada, por e gjitha është pjesë e politika dhe mendoj se kjo do të zgjidhet në mënyrë paqësore. Zgjedhjet duhet të mbahen dhe serbët duhet të votojnë, unë do ta bëj.
Situata është gjithmonë në pikëpyetje, por ndoshta një ditë do të zgjidhet, në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqura, si serbët ashtu edhe shqiptarët. Unë gjithnjë dalë në votime pavarësisht kush i organizon ato," thonë ata.
Krerët e katër komunave serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç dhanë dorëheqjen nga qeverisja e pushtetit lokal e cila ndiqte vendimin e Lista Srpskas për t’u dorëhequr nga institucionet e Kosovës, akt i bërë në lidhje me regjistrimin e targave.
Disa ditë më parë nëpër muret e qyteteve në komunat serbe e ashtuquajtura ‘Brigada veri’ bëri thirrje për rezistencë në lidhje me vendimin e 21 nëntorit të qeverisë së Kosovës për targat.
Pas kësaj date, serbët që nuk i kanë automjetet të riregjistruara në sistemin RKS do të përballen me gjoba nga Policia e Kosovës.