SHBA apel Kosovës e Serbisë, Escobar: Drafti franko-gjerman të ndahet me publikun
I dërguari i posaçëm i SHBA, Gabriel Escobar, ka dënuar tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, por i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ti adresojnë problemet dhe të diskutojnë për një zgjidhje bazuar në paketën franko-gjermane. SHBA duket se e mbështet këtë propozim madje Escobar ka kërkuar që edhe publiku të njihet me draftin.
Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka dënuar tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Sipas tij një akt i tillë nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës, Escobar ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin.
"Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të demonstrojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për të qetësuar situatën. Palët duhet të dyfishojnë angazhimet e tyre në dialog, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë i kanë nënshkruar, që nënkupton edhe fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe".
Zyrtari i lartë amerikan ka folur edhe për propozimin franko- gjerman, i cili po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja.
Escobar ka nënvizuar se SHBA e mbështesin fuqishëm këtë proces dhe ka shprehur mendimin se pas diskutimeve mes dy qeverive, duhet të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut përmes publikimit të draftit.
