Skadon afati për targat, Vuçiç dhe Kurti takohen të hënën në Bruksel

E diela shënon edhe përfundimin e fazës së parë të caktuar nga qeveria e Kosovës për targat. Nga e hëna minoritarët serbë që qarkullojnë me targa ilegale do të gjobiten me 150 euro. Kurti dhe Vuçiç do të bëjnë manovrën e fundit në Bruksel për t’i dhënë fund tensioneve për çështjen e targave.

Mesnatën e së dielës përfundon edhe afati i dhënë nga qeveria e Kosovës për ri-regjistrimin e targave ilegale në sistemin RKS.

Të hënën pritet që çdo qytetar serb që nuk disponon targa të Kosovës, por vetëm ato të lëshuara nga autoritetet serbe do të marrin 150 euro gjobë.

Policia e Kosovës njoftoi të premten se që nga fillimi i procesit të riregjistrimit rreth 26 shoferë kanë pajisur makinat e tyre me targat e reja.

Mbi 9000 automjete dyshohet se qarkullojnë në komunat serbe në veri të Kosovës kryesisht në Mitrovicën e Veriut, Lleposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Që nga fillimi i muajit, kur nisi edhe faza e parë për riregjistrimin e targave nga qeveria Kurti, janë lëshuar mbi 1500 paralajmërime për qytetarët serbë në veri të Kosovës.

Vendimi për targat i ka çuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës në pikën më të nxehtë që kur dy vendet nisën dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara i kanë kërkuar Prishtinës shtyrjen e vendimit për targat deri në shtator të vitit të ardhshëm, por Qeveria e zotit Kurti nuk i pa të arsyeshme thirrjet e tyre.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen në Bruksel të hënën, një takim urgjent i cili u kërkua nga Bashkimi Evropian për të shmangur tensionet e fund korrikut të këtij viti.