Një franko-amerikan në krye të Hagës

Prokurori franko-amerikan Alex Whiting do të zëvendësojë kryeprokurorin e deritanishëm, Jack Smith, në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Vendimi vjen pasi Smithit iu besua hetimi i trazirave të 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.

Prokurori Alex Whiting do të zëvendësojë kryeprokurorin e deritanishëm, Jack Smith, në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ky zëvendësim, vjen pasi Smith më 18 nëntor u emërua në SHBA, si prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago, nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

PO ashtu ai do ketë të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së, në asnjë aspekt. Whiting është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Ky raport, në fakt, i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015. Pranë Gjykatës Speciale deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore, tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.