Mediat serbe për Listën Serbe

Rikthimi në Kuvendin e Kosovës dy javë pas vendimit për të bojkotuar çdo institucion në shenjë revolta ndaj vendimit të qeverisë Kurti për targat e automjeteve  nga anëtarët Listës Serbe në mediat e Beogradit është komentuar si mashtrim i zyrtarëve serbë në Prishtinë, ku në 54 sekonda, Lista Serbe u betua në Kosovën e pavarur

Në vetëm dy javë, Lista Serbe arriti të bëjë një kthesë të vërtetë ‘kopernikane’ të denjë për dramën e regjisorëve më të mirë të botës.  

Është ky qëndrimi i portalit serb “Nova.rs”, i cili thekson se për vetëm dy javë, 5 deri më 17 nëntor, anëtarët e Listës Serbe nga veriu i Kosovës, nga performanca para kamerave, kur policët hoqën uniformat në shenjë revolte, kaluan në betimin solemn në Kuvendin e Kosovës, ku të enjten u verifikuan mandatet për deputetë të rinj nga Lista Serbe.

Kishte diçka të rreme, disi të inskenuar, në faktin se policët vendosën të hiqnin uniformat dhe të thoshin me zë të lartë “mjaft më mjaft” para kamerave televizive.  

Ata ishin ngopur që askush të mos i respektonte, që serbët të shtypeshin, ndërsa përfaqësuesit e Kosovës me këmbëngulje refuzuan të gjitha kërkesat e tyre.

Portali serb shkruan se ata u larguan nga institucionet me premtimin se nuk do të kthehen atje derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet e dakorduara, që do të thotë derisa të tërheqë vendimet për riregjistrimin e automjeteve dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Më tej portali serb shkuan se “në vetëm më pak se dy javë, që kur i thamë ‘jo-në historike Kurtit’, u kthyem me kokë krenare për të bërë betimin para institucionit më të rëndësishëm në Kosovë.

Aq zgjati patriotizmi i Listës Serbe. Në fakt, ai atdhetarizëm, pra parimor u shkatërrua për vetëm 54 sekonda, sa zgjati edhe betimi solemn i përfaqësuesve të Listës Serbe”.

“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se do ta kryej detyrën time me nder dhe përkushtim dhe do ta përfaqësoj popullin me dinjitet, se do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të punoj për të mbrojë dhe respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, të mbrojë sovranitetin, tërësinë territoriale dhe integritetin institucional të Kosovës, në garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit”, thuhet në tekstin e betimit të bërë nga deputetët e Listës Serbe.

Pikërisht ky tekst i betimit të enjten në Kuvendin e Kosovës i deputetëve serbë ka shkaktuar reagimin edhe të ish-ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç.

Ai tha njerëzit janë të zhgënjyer me vendimin e fundit të Listës Serbe, duke shtuar se Lista Serbe i ka vënë në rrezik qytetarët serbë, ndonëse, sipas tij, edhe vetë e ka përkrahur atë vendim.