Moti i keq në Lezhë, toka nën ujë në Zadrimë, Torovicë e Balldren, 23 banesa të përmbytura

Sipërfaqe të mëdha të mbuluar me ujë , janë konstatuar mëngjesin e sotëm në  fshatrat Mabe, Piraj, Gjadër në Dajç, Torovicë e Balldren.

Sipas të dhënave të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë sasia e reshjeve të rëna për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm.

Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes deri tani ka rënë 82 mm shi .

Lumi Gjadër dhe Drin janë mbushur dhe tërheqja e ujit bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati. Kuota e lumit Drin është +1m nga +2 që është kuota kritike.

Lumi Mat ka rritur prurjet por pa krijuar problem.

Sipërfaqe të përmbytura ka dhe në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht rreth 700ha, ndërsa në njësinë administrative Balldren rreth 500ha.

Në njësinë administrative Dajç bashkia Lezhë, në fshatin Gajdër kemi 15 banesa në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs kemi 5 banesa në ujë.

Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq kemi 3 banesa në ujë.

Aktualisht janë të përmbytura rreth 1500 hektarë tokë bujqësore në Zadrime, Torovice dhe Kakarriq si dhe dy shtëpi kanë prezence uji në Kakarriq.

Gjithashtu vijon të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona, ndërsa është bllokuar rruga që lidh fshatin Blinisht me superstradën Lezhë-Shkodër, pasi ka prezencë uji dhe është i pamundur kalimi i automjeteve të vogla.