Mallakastër, vodhën të moshuarin me dhunë nën kërcënimin e armës, arrestohen dy të rinjtë

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen se vodhën me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, një shumë parash, në banesën e një të moshuari.

Arrestimi i tyre u bë falë operacionit policor të koduar "Klosi”.

“U bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".”, njofton policia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orën 02:30 të datës 19.11.2022, në fshatin Klos, Mallakastër.

Dy të rinjtë nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, "Plagosje e rëndë me dashje", “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe "Moskallëzimi i krimit".