Kthen keq moti, e diela me rrebeshe shiu dhe rrufe

Vendin e pret një fundjavë e paqendrueshme veçanërisht prej mbrëmjes së kësaj të shtune dhe gjatë të dielës.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e dobëta dhe fillimisht lokale të ditës së shtunë në mbrëmje do të përfshijnë të gjithë vendin me intensitet të ulët dhe në pjesën veriperëndimore edhe shtrëngata me rrufe.

Në orët e vona të mbrëmjes dhe pas mesnatës në veri e veriperëndim reshjet do të fitojnë intensitet deri të lartë. E gjithë pjesa bregdetare ditën e dielë do të përfshihet nga reshje rrebeshe e rrufe.

Të dielën në mbrëmje intensiteti i reshjeve do të vijë në rënie.

Era përgjithësisht gjatë situatës së përkeqësuar do të fryjë nga kuadrati i jugut e vrullshme në brigjet detare. Ndërsa valëzimi në dete i forcës 4-5 ballë.