Reshjet rrezikojnë përmbytje në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë e Gjirokastër. Peleshi njofton pas mesnate bashkitë

"Duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike, pritet që mbi vendin tonë në orët në vijim në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave"

Ky është njoftimi i publikuar në profilin e facebook të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi gati 30 minuta pas mesnatës së 19 nentorit.

Ministria njofton se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence.