Jul Deda: Veliaj ka rënë, luftën e ka me shefin e vet! Puna është kush do fitojë nga ne
Aktori, Julian Deda, një nga 7 kandidatët në garën e primareve të PD për Tiranën u shpreh i bindur në fitoren e kësaj partie në kryeqytet me 14 maj.
Gjatë prezantimit në degët 5 dhe 12, Deda tha se Veliaj sfidën me të madhe e ka me shefin e tij, Edi Rama, dhe Tiranën e do si lopë për ta mjelë pikërisht për të realizuar këtë qëllim.
Deda: Para se të shkojmë te 14 maji që sigurisht është kryesorja për ne. Që do ti fitojmë zgjedhjet as nuk diskutohet, as nuk bëhet fjalë. Ne do ti fitojmë zgjedhjet. E vetmja gjë që duhet të vendosni ju është se cili nga ne do të fitojë. Erion Veliaj ka rënë se ai nuk e ka luftën vetëm me ne, e ka dhe me shefin e vet.
Ai do bëhet bisht siç është bërë deri më sot, do të shfrytëzojë çdo gjë për ta marrë këtë luftë, gjithë makuterinë e tij, gjithë hijenllëkun e tij për të fituar këtë sepse ai e do për interesa personale. Ai do ta shfrytëzojë Tiranën, e ka thyer në një lopë për ta mjelë për tu bërë kryeministër, për tu bërë kryetar partie, për ti bërë karshillëk shefit të vet.
Deda e vuri theksin te kontakti me demokratët dhe puna në grup duke shtuar se nëse demokratët i besojnë atij votën, kandidatët e tjerë do ti ketë në krahun e djathtë.

Deda: Para se të shkojmë atje, ne këtu jemi në takim me degën 5 dhe 12. Ne duhet të rivendosim njëherë kontaktin me demokratët. Ky kontakt në 9 vite ka munguar, ju keni kontribuar pafund në këto 9 vite dhe mos u bëni pishman për asnjë moment për kontributin që keni dhënë në PD. Nuk e keni bërë për Lulin, as për lulet e tjera në parti. E keni bërë për PD, kurrë mos u bëni pishman për këtë, asnjë ditë, për atë parti që ju aspironi dhe besoni te ajo. Duke vendosur kontaktin me ju çdo gjë do të kalojë përmes jush.
Unë jam mësuar të punoj në grup, jam me profesion aktor. Nëse ti nuk di të punosh me një partner ose partnere, ti nuk ke lidhje me këtë profesion. Nga sot e tutje unë kam dëshirë të punoj në grup, kam dëshirë t'ju marr sugjerim për çdo gjë. Nëse unë do të jem i përzgjedhuri juaj, të 6 kandidatët do ti kemi në krah të djathtë dhe jo në krah të majtë.Ne të gjithë bashkë ja dalim, me kohën lart, dy gishtat lart dhe syrin kokërr.A kemi ne plan, projekt? Ne kemi vizion, nuk kemi projekt. Ne jemi vizionarë, shikoni çfarë gare të bukur po bëjmë ne.
Tirana është një qytet që të streson, tha ai.
Deda: Ne u gjejmë fëmijëve kurse të ndryshme, i çojmë nëpër sporte. Unë djalin e kam futbollist me Tiranën dhe kur tha Adriana që do bëjmë diçka për klubin Tirana më erdhi mirë se përfiton dhe im bir. Tirana të streson se ti del nga shtëpia dhe stresohesh, hap dritaren në mëngjes dhe sheh vetëm shëmtira. Ne duhet të sfidojmë Erion Veliaj, ti themi hajde njëherë nisu nga sheshi "Skënderbej" dhe shko te Terminali a e kap dot autobusin në kohë nga trafiku?
Jo. Do të vijë këtu te 5 se i duhen votat, por ju ta nxirrni për leckash përjashta. Unë nuk i them zdroms atij, i them Erion matrapiku, fiku.Ka shumë epitete.Tirana është kthyer në një qytet që të streson dhe ti me atë stres kthehesh në shtëpi dhe ja shfryn gruas, kalamajve.Jetesa në këtë vend ndikon dhe në gjendjen e familjes.
Aktori gjithashtu nënvizoi rëndësinë e familjes dhe rolit të saj në shoqëri.
Deda: Këta kanë marrë përsipër ta përçudnojnë dhe familjen. Por ne jemi pro familjes, nuk duhet të lëmë të paktën këtë qelizë që na ka mbetur akoma e fortë dhe e paprekur që të na cënohet.Familja është shumë e rëndësishme, familja taman, jo Prindi 1 dhe Prindi 2.
