Demokratët i urojnë mirëseardhjen liderëve të BE me protesta, Mziu: Të shohin Shqipërinë e vërtetë, jo atë që shet Rama
Partia Demokratike ka thirrur protestë me 6 dhjetor, datë kjo që përkon me Samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Deputeti demokrat Xhelal Mziu, njëherësh edhe drejtues politik i qarkut Dibër, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Sonila Musai tha se ky tubim është për tu uruar mirëseardhjen liderëve të BE dhe rajonit, por edhe për ti njohur ata me Shqipërinë e vërtetë, përtej propagandës së kryeministrit.
Mziu: Protesta e 12 nëntorit ishte madhështore. Vendi sot ndodhet në një kolaps ekonomik, në një situatë ku Rilindja është bërë parti shtet. Ka tjetërsuar institucionet e pavarura. Për gjërat pozitive jemi në fund të listës ndërsa për çështje të tjera si emigracioni, krimi apo droga ne jemi në krye të listës.
Protesta është e vetmja zgjidhje për ta shkundur dhe rrëzuar këtë qeveri. 6 dhjetor është shumë e rëndësishme, përkon me një takim të rëndësishëm në Shqipëri. 6 dhjetori le të jetë dhe një lloj sensibilizimi për faktorin ndërkombëtar pasi vendi nuk është ajo që shet qeveria apo kryeministri.
Vetëm në 10 vitet e fundit kanë ikur më shumë se 800 mijë shqiptarë, ka humbur shpresa. Media juaj është një tjetër tregues i persekutimit të medias apo vënia nën presion nga qeveria. Nuk është protestë kundër BE, por një sensibilizim për situatën ku ndodhet vendi. Do të dëshiroja të kishte pjesëmarrje masive.
Deputeti numëroi aferat e qeverisë Rama, e cila sipas tij më shumë se kushdo i kanë nxirë imazhin vendin.
Mziu: U shpikën PPP nga kjo qeveri, çdo gjë e bërë me PPP ka qenë një korrupsion i jashtëzakonshëm. U shpikën incineratorët, jemi i vetmi vend në botë që nuk bëjmë selektimin e mbetjeve urbane që në shtëpi. Janë shpenzuar 430 mln euro për 3 incineratorë. As i Fierit dhe as i Elbasanit nuk ka funksionojnë.
Një Kroaci që është më konkuruesja sot në Europë nuk ka incineratorë, Shqipëria që edhe mes të Tiranës po të shkosh ke mbetje të paklasifikuara, vendosim incineratorë, aq më tepër që nuk kemi incineratorë.Edhe pse pronarët janë në kërkim, çdo muaj qeveria bën pagesa marramendëse me miliona euro në drejtim të këtyre incineratorëve.
Ky kryeministër nuk ka lënë pronë shtetërore pa ua dhënë oligarkëve vendas apo firmave të huaja fantazmë, gjasmë në investime strategjike. Janë më shumë 54 investime strategjike që janë dhënë, mijëra metra katrorë tokë e dhënë, duke i zhveshur dhe taksat e tatimet. Nga këto 2-3 mund të jenë strategjikë, të tjerët janë vetëm tjetërsim i pronës publike.
Duke veçuar portin e Durrësit, ai tha se projekti është vjedhja e shekullit në Europë.
Mziu: Porti i Durrësit është një tjetër megaaferë. Nuk ka vend tjetër në botë që do bënte një dhuratë të tillë si porti i Durrësit. Po ndërton një qytet buzë deti, ku metri katrorë është më i shtrenjti dhe po e jep me zero lekë.Është vjedhje galopante, vjedhja e shekullit jo vetëm për Shqipërinë por edhe Europën.
Nga opozita po përdoren të gjithë instrumentat e nevojshëm. E ka refuzuar dhe BE. Do të kemi pastrim parash në atë port. Kompanitë që do merren me ndërtimin janë offshore. Dyshohet se mund të ketë dhe rubla ruse dhe bjelloruse. Është një humbje e madhe të falësh zonën më të shtrenjtë që ka vendi, aq më tepër në një qytet 3000 vjeçar si Durrësi.
Duke mbetur te zgjedhjet vendore të 14 majit dhe problemet brenda PD, ai tha se është shpresëplotë që do gjendet një zgjidhje sëpaku për të shkuar me kandidatë të përbashkët.
Mziu: Mbetem akoma shpresëplotë që kemi kohë të mjaftueshme për të gjetur zgjidhje, ose për tu bashkuar ose minimalisht për të shkuar me një kandidat të përbashkët. Është jo vetëm dëshirë por edhe bindje e imja që me datë 14 maj do të përfaqësohet e gjithë opozita e bashkuar me një kandidat për çdo njësi vendore. Bashkitë në 15 maj do të gdhihen blu.
