Bardhi e Shehaj dorëzojnë në Kushtetuese kërkesën për mocionin e Olta Xhaçkës

Vetëm pak orë nga seanca e Kuvendit ku mazhoranca votoi kundër raportit për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të dy grupimet e PD iu drejtuan gjykatës kushtetuese.

Gazmend Bardhi dhe Agron Shehaj e konsideruan shkelje dhënien e statusit të investitorit strategjik si dhe të dhënies së sipërfaqes së bregdetit për bashkëshorten e ministres.

"Është rasti unik në botë ku Ministri për Eurpën dhe punët e Jashtme, deputetja Olta Xhaçka gëzon njëkohësisht edhe statusin e investitorit strategjik mbi bazën  e një ligji të miratuar prej saj dhe bashkëshortit të saj, kur ai ishte deputet për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro.

Me vendim të eprorit të saj Edi Rama, ministrja dhe bashkëshorti i saj përfituan të drejtën për të përdorur pronë publike në bregdet dhe reduktimin e TVSh për aktivitetein tregtar në hoteleri-turizëm," shtoi Bardhi.

"Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto 10 vjet, kjo maxhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonat e Parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre.

Por Partia Demokratike është e vendosur që ti shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie. Ndaj në emër të Partisë Demokratike sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me kushtetutën të mandatit të zonjës Xhaçka.

Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht  edhe ministre e jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykates Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji dhe Kushtetuta e diktojnë farë qartë," tha Shehaj.

Të ndarë në qëndrimet politike, por me të njëjtin mendim sa i përket vendimit të shumicës në parlament kërkuan nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e raportit të pakicës ku kërkohet largimi i Xhaçkës nga parlamenti.

Bardhi e Shehaj dorëzojnë në Kushtetuese kërkesën

Bardhi e Shehaj dorëzojnë në Kushtetuese kërkesën