Gjirokastra, qarku me më pak lindje, mjekja: Bebet që kam pritur janë shpërndarë nëpër botë e Europë

Gjirokastra është qarku me numrin më të ulët të lindjeve në tremujorin e tretë të vitit 2022. Emigrimi masiv dhe varfëria llogariten si shkaqet kryesore të uljes së lindjeve.

Vetëm 90 bebe kanë ardhur në jetë në Gjirokastrër gjatë muajve korrik-Gusht dhe shtator të këtij viti, duke e renditur qarkun me numrin më të ulët të lindjeve.

Kryesisht shifrat me të larta të lindshmërisë sipas mjekes gjinekologe  Migena Kuro  vijnë nga zonat e thella  të Bashkisë Tepelenë.

Shkaqet e uljes së numrit të lindjeve lidhen kryesisht me emigrimin dhe kushtet e vështira ekonomike.

“Shkaku kryesor është largimi i popullsisë aktive, e popullsisë riprodhuese që është e aftë për të realizuar lindjen. Vëmë re që mungojnë shumë nëna të cilave ju kemi pritur lindjet. Duke qenë aktive në rrjetet sociale këto kohë, vëm re që bebet që unë kam pritur i shoh të shpërndara nëpër Europë dhe nëpër botë.” 

Mjekët japin alarmin se nëse vijohet me këto shifra të frikshme rrezikohet jo vetëm matreniteti por edhe kopshtet e shkollat.

“Ky trend nëse vijon me këto shifra është i frikshëm për maternitetin por dhe për ambjentet e tjera sociale, kpshtet, shkollat. Gjithandej po vihet re pakësimi i numrit të fëmijëve.”

Në vitin 2020 në maternitetin Dhimitër Çuçi në Gjirokastër erdhën në jetë 331 foshnje ndërsa në 2021, erdhën në jetë 271 foshnje.

Tremujori i tretë i 2022 solli një rënie drastike të lindjeve në Shkallë vendi,me minus 20%.