Në pranga grupi që shpërndante kokainë e kanabis në Shkodër, "drejtuesit" i gjejnë armë e elektroshok

Katër persona janë arretsuar nga policia në Shkodër si një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Vespa”u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. K., 48 vjeç, A. C., 49 vjeç, U. H., 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.

"Si rezultat i hetimeve ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës," njoftoi policia.

Gjatë kontrollit fizik këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

Gjithashtu, shtetasit M. K., i cili nga hetimet rezultoi se kishte rolin e organizatorit të këtij grupi kriminal, iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.