LGBTQI kritikon Beckham: S’duhej të kishte pranuar rolin e ambasadorit për Kupën e Botës në Katar

Mbështetësit e komunitetit LGBTQI në Britani janë duke kritikuar ashpër ish-yllin britanik të futbollit David Beckham për rolin e tij në Kupën e Botës, e cila nis pas pak ditësh në Katar.

Beckham, një nga futbollistët më të mirë të gjeneratës së tij, është ambasadori zyrtar i top evenimentit sportiv.

Mbështetësit e komunitetit LGBTI të Britanisë janë të zemëruar me ish-futbollistin.

“Jam shumë i zhgënjyer, kishim një imazh të lartë për të”, ka shkruar një përdorues në rrjetet sociale.

Nga ana e tij, grupi më i madh i mbështetjes LGBTQI në Angli argumentoi se Beckham nuk duhet të shihet më si një aleat i fortë homoseksual, pasi ka fituar para të mjaftueshme për të qenë ambasadori zyrtar për Kupën e Botës në Katar.

Di Cunningham, bashkëthemeluese e organizatës bamirëse LGBTQI Three Lions Pride, shprehu zhgënjimin e saj për vendimin e Beckham për të pranuar një marrëveshje prej 150 milionë funtesh.

Vendi i Gjirit, të cilin Beckham zgjodhi të përfaqësojë, kriminalizon marrëdhëniet midis çifteve të të njëjtit seks.

Kupa e Botës FIFA e këtij viti fillon më 20 nëntor në vendin e Gjirit. Është Kupa e parë Botërore në Lindjen e Mesme dhe në botën arabe, si dhe e para në historinë 92-vjeçare të kompeticionint që mbahet në dimër dhe jo në verë.