Ndoji kërkon me kusht Greqinë, mediat e vendit fqinjë konfirmojnë lajmin

 

Bien poshtë të gjitha dyshimet dhe lajmi që Andrea Ndoji kërkon të braktisë Shqipërinë për Greqinë gjen konfirmim edhe në mediat prestigjoze të vendit fqinjë.

Jo më kot zgjodhën heshtjen deri në konfirmimin përfundimtar të lajmit mediat në Greqi por tashmë ekziston bindja që mbrojtësi me origjinë shkodrane nuk e dëshiron më Shqipërinë. Prestigjiozja “gazzetta.gr” thekson se nga burimet që ka, Ndoji i ka dërguar një e-mail FSHF-së ku i kërkon të mos thirret më nga asnjë përfaqësues i federatës së vendit të origjinës së tij.

“Duke qenë se ai zotëron të dyja pasaportat dhe për më tepër nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Kombëtaren Shqiptare, e ka më të lehtë për t’u angazhuar me Greqinë”, shkruan “gazzetta.gr” që shton se mbrojtësi 19-vjeçar tashmë në formacionin bazë të Olympiacos, luajti për Kombëtaren U-21 të Shqipërisë në muajin shtator por pas rikthimit në Athinë kontaktoi me federatën helene për të vazhuar në ekipet greke.

Gjithsesi, në fund të shkrimit, gazeta në fjalë thekson se duhen pritur zhvillimet e ardhshme lidhur me këtë çështje që mbetet e komplikuar. Ndoji numëron 6 ndeshje me fanellën e Olympiacosë këtë sezon.

Sipas, informacioneve të fundit, në një intervistë dhënë gazetarit shqiptar në Athinë, Albert Rudaj, Ndoji shprehet:

“Po, do të luaj për Greqinë, sepse këtu linda, këtu hodha hapat e para të futbollit dhe këtu kam shokët e mi, me të cilët shpresojmë të luajmë për përfaqësuesen e Greqisë. Shqipëria është vendi i prindërve të mi dhe si rrjedhojë unë e respektoj dhe e dua atë vend. Por futbollin unë e kuptoj ndryshe edhe e shikoj si profesion dhe jo si luftë. Unë besoj se futbolli bashkon njerëz e lidh ura lidhëse edhe miqësi e jo ndarje. Prandaj unë, me sa mundem do të mundohem për këtë. Akuza ndaj federatës? Jo asnjëherë. Unë nuk kam folur asgjë, por edhe nuk mbaj përgjegjësi se çfarë shkruan njëri apo tjetri, pasi nuk kam edhe nuk kam pasur kohë për biseda të tilla”.