Gati për protestë, në Shkodër PD fton qytetarët në rrugët e Tiranës kundër qeverisë

Partia Demokratike në Shkodër është duke u mobilizuar për protestën  e datës 12 tetor që është thirrur nga opozita në Tiranë. Zyrtarë të PD janë duke komunikuar me të gjithë qytetarët për ti ftuar ata ti bashkohen protestës duke kundërshtuar ato që ata e quajnë shpopullim të vendit dhe varfëri ekstreme.

Me sloganin "Shqipëria në rrezik, protesto t'i dalim Zot Bashkë", demokratët e Shkodrës janë organizuar duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e protestës kombëtare të 12 nëntorit.

Arsyet për të protestuar janë të shumta dhe situata që po kalon vendi nën qeverisjen e Edi Ramës këto 9 vite është ndër më të rëndat sipas tyre.

Vildana Kazazi Gushta: Për të protestuar për gjendjen në të cilën na ka futur kjo qeveri, për fëmijët që po zbrazin shtëpitë tona dhe po gjejnë zgjidhje në vendet e Europës, për të protestuar për papunësinë që ka pllakosur vendin, për të protestuar për gjendjen e spitaleve, shkollave tona që zbrazen përditë.

Qytetarët po i përgjigjen ftesës për protestë, ndërsa drejtuesit lokal të Partisë Demokratike thonë se janë marrë masat që çdo gjë të jetë në funksion të një reagimi qytetar.

Arben Lushaj: Ky vend është drejt greminës me këtë qeveri të korruptuar, me këtë qeveri e cila po bën çmos ta shpopullojë këtë vend. Rinia nuk ka shpresë jetese në këtë vend.

Ndoc Ashta: Po na ikën truri i kombit, varfëria është ulur këmbëkryq nga korrupsioni galopant që qeveritarët tanë ushtrojnë, abuzimi me taksat.

Përveç organizimit të qytetarëve në mënyrë vullnetare, për ato familje që në pamundësi ekonomike nuk mund të udhëtojnë drejt kryeqytetit, selia blu do të mundësojë nisjen e organizuar në disa pika të qytetit.