"Situata në Veri", Kurti: Ata që po urdhërojnë largimin nga institucionet e kanë problem ligjin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se serbët në veri të Kosovës nuk i kanë problem vendimet e Qeverisë, sa i përket targave, por “kërcënimet” nga ata që, siç tha ai, e kanë problem ligjin.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë më 9 nëntor, Kurti tha se mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim veçmas për qytetarët serbë në katër komunat veriore: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.
“Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria dhe kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe i korrupsionit në vendin tonë”, tha Kurti.
Autoritetet në Kosovë javët e fundit kanë raportuar për disa incidente në veri të Kosovës, që kishin për cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre nga targat serbe në ato RKS.
Tensionet në veri janë rritur edhe më shumë në fillim të këtij muaji, pasi Qeveria nisi zbatimin e një plani për riregjistrimin e makinave./REL