Sveçla: Kemi indicie se në veri ka elementë të Rusisë, duan të shkaktojnë trazira

Në një dalje për mediet së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ka indicie në veprimet në veri të Kosovës ka elemente të Rusisë.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të parandalojnë çfarëdo ndikimi negativ për situatën e sigurisë në veri të vendit.

Sveçla: Ne po e përcjellim situatën, jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e informatave, edhe të kësaj natyre, ka edhe deklarime edhe indikacionet se mund të ketë elemente të Rusisë, që janë të interesuara që të shkaktojnë trazira e eskalim të situatës atje. Jam i bindur që institucionet e Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë do të jenë të suksesshëm në parandalimin, neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ, të kujtdo qoftë në raport me sigurinë atje.


Deri më tani në Policinë e Kosovës, në zonën e Drejtorisë rajonale në stacionet në veri, janë pranuar njoftimet për dorëheqje nga stafi i uniformuar dhe stafi civil nga komunitetit serb, ku zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje prej të cilave 461 nga Policia e rendit publik, 107 nga Polica kufitare, dhe 10 nga hetimet.

Sipas tij dorëheqjet vijnë si pasojë e kërcënimeve e shantazheve që ata zyrtarë policorë kanë marrë dhe se qëllimi i veprimeve të Listës Serbe dhe grupeve të caktuara në veri të vendit, kanë për qëllim destabilizimin e vendit.