BE i jep të drejtë Gjukanoviç: Jemi të shqetësuar për ligjin për Presidentin, formoni Kushtetuesen
Bashkimi Evropian ka reaguar me shqetësim për votimin e diskutueshëm për marrjen e kompetencave të Malit të Zi me qëllim dhënien e tyre Kuvendit. Reagimi i Brukselit vjen në kohën kur mijëra qytetarë protestojnë për zgjedhje të reja duke akuzuar partitë pro-ruse për shkelje të Kushtetutës për ligjin e presidentit.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për ngërçin politik në Mal të Zi dhe më konkretisht për ndryshimet e miratuara në 1 nëntor, ku shumica e vjetër parlamentare kërkoi shkurtimin e kompetencave të presidentit të vendit.
Përmes një deklarate nga zyra e diplomacisë së unionit, Podgoricës i bëhet thirrje që të kryejë akte në përputhje me Kushtetutën dhe të emërojnë pa vonesë emërimin e anëtarëve të Kushtetueses.
"BE është thellësisht e shqetësuar për votimin e 1 Nëntorit në parlamentin e Malit të Zi, në efekt të ndryshimit të kompetencave të Presidentit të Republikës. Të gjitha aktet legjislative duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën. Për t’i dhënë fund krizës aktuale, BE-ja u kërkon të gjithë aktorëve që të kenë prioritet në ndërtimin e konsensusit dhe emërimin urgjent të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në votimin e radhës në 22 nëntor".
Qindra qytetarë të mbështetur nga partia e Gjukanoviç kanë protestuar në Podgoricë para parlamentit mbrëmjen e së martës.
Ata i kërkojnë deputetëve të tërheqin ligjin për presidentin, përmes të cilit shumica e vjetër pro-ruse dhe pro-serbe kërkon emërimin e kandidatëve të tyre për përbërjen e qeverisë së re.
Protesta është në kundërshtim të shumicës parlamentare e cila për më shumë se dy muaj refuzon të shkurtojë mandatin e Kuvendit gjë që është kërkesë e presidentit Gjukanoviç për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Mali i Zi është tronditur nga kriza politike e shkaktuar nga rënia e qeverisë së Abazoviçit dhe refuzimi i shumicës parlamentare për të hyrë në procesin e ri zgjedhor.
Gjithashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
