Tensionet në veri, Spahiu parashtron dy skenare: Marrëveshje Kurti-Vuçiç ose luftë e dytë
Largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri analisti Nexhmendin Spahiu e konsideron një akt lufte nga Beogradi.
Për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se Kosova është kthyer në pikën zero sa i përket integrimit të komunitetit serb në vend ndërkohë që policët që lanë uniformat mund të jenë një kontigjent shumë i rrezikshëm për shoqërinë.
Spahiu: Është një akt lufte. Kjo vjen si përfundim i faktit se Serbia po refuzon planin franko-gjerman dhe pse në dukje të parë ishte shumë më i favorshëm për Serbinë se Kosovën. Të detyrosh të japin dorëheqjen të punësuarit, stafi civil, gjykatësit, prokurorët, policët është më shumë se kur japin dorëheqjen deputetët, ministri apo kryetarët e komunave. Jemi kthyer në pikën zero, në vitin 1999 sa i përket integrimit të komunitetit serb në Kosovë. Ata policë që lënë punën janë një potencial i rrezikshëm për shoqërinë për shkak se kanë ndonjë alternativë tjetër. Jemi në një rrezik të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit Kosovë-Serbi.
Gjithçka po ndodh në veri, Spahiu e përmbledh në dy skenare të mundshme, duke mos përjashtuar një luftë të dytë Kosovë-Serbi.
Spahiu: Skenari më i mirë i mundshëm është që në momentin e fundit presidenti Vuçiç dhe Albin Kurti të jenë marrë vesh që të acarojnë situatën para se të nënshkruajnë një marrëveshje mes tyre në mënyrë që të thonë "shpëtuam nga lufta, më mirë që bëjmë këtë marrëveshje sepse po shkonim drejt luftës". Ky është skenari më i mirë i mundshëm. Skenari tjetër është se ne po shkojmë drejt luftës dhe nëse nuk ka një marrëveshje të tillë çdo gjë që po ndodh në terren po shkon drejt një konflikti të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë që më vonë mund të inkuadrohet dhe NATO që të ulet këmbëkryq në Beograd. Por ndërkohë viktimat mund të jenë të shumta në Kosovë dhe nuk është e dëshirueshme për askënd që të përballohet edhe një lufte si ajo e 1999. Në dallim nga ajo ku Shqipëria ishte vetëm një spektatore dhe ndihmëse sa i përket refugjatëve, tani duke qenë anëtare e NATO-s do të duhet të përfshihet direkt në konflikt.
Pyetjes se pse tani, Spahiu i jep këtë përgjigje:
Spahiu: Perëndimi i dha ultimatum, plani franko-gjerman ishte kompromisi i fundit që Perëndimi mund të bënte ndaj Serbisë. Edhe këtë e refuzoi kështu që momentin që filluan kërcënimet nga Perëndimi, Serbia filloi të përgatitet për luftë. Kjo është një përgatitje për luftë.
