Stoltenberg telefonon Kurtin dhe Vuçiçin: Shmangni përshkallëzimin e tensioneve!

Bashkimi Evropian i bën sërish thirrje Beogradit dhe Prishtinës për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve të krijuara në veri të vendit. Ndërkaq situata e krijuar pas braktisjes së institucioneve nga Lista Serbe, ka detyruar shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, që të telefonojë liderët e të dy vendeve Vuçiç dhe Kurti për uljen e tensioneve.

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve të krijuara në veri të vendit.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë në konferencën për shtyp se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve rreth fatit të propozimit franko-gjerman për marrëveshje, dhe zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë se “prioritet është ulja e tensioneve”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka telefonuar këtë të hënë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ka kërkuar që ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti të përmbahen nga hapat që do të shkaktonin përshkallëzim të tensioneve dhe që do të cënonin paqen dhe stabilitetin.

Me anë të rrjeteve sociale, Stoltenberg thekson se NATO e KFOR janë vigjilentë mbi situatën, ndërsa thekson se dialogu është e vetmja rrugë përpara për të dyja vendet.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Mediat serbe raportojnë se nga ana e tij Vuçiç i ka thënë Stoltenbergut se Prishtina po shkel marrëveshjen e Brukselit me lëvizjet e saj të njëanshme, shkarkimin e komandantit të policisë serbe për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç dhe veprimet e paligjshme në lidhje me targat dhe refuzimi për të formuar Unionin e Komunave Serbe.

Ai shtoi se përkundër kësaj, Serbia përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe do të mbetet e përkushtuar ndaj saj, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS–Republika e Kosovës.