Bastisje në disa “Call Center” në Prishtinë, arrestohen 14 persona

Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike i Prokurorisë Speciale ka zhvilluar aksion policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si “Call Center” në disa lagje të Prishtinës.

Janë arrestuar 14 persona për “hyrje në sistemet kompjuterike”, “mashtrim” dhe “shpëlarje të parave”, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj.

Prokuroria Speciale njoftoi se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me Autoritetet Gjermane.

Gjithashtu, sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë.

“Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”, thuhet në njoftim.

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 14 persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj. Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjeshme: - 2 vetura; - 167 kompjuter desktop; - 3 kompjuter laptop; - 21 telefona mobil; - 2 DVR; - 2 HDD; - 2 USB memorie; - Dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin”.

14 personat e arrestuar u dërguan në mbajtje prej 48 orësh. /Koha ditore/