Açka: PD po i bën opozitë vetes, jo pushtetit, do të vazhdojë kjo situatë, vështirë të çlirohemi nga ky makth

Në emisionin “Drejt” në RTV Ora nga Luan Rama, deputetja demokrate Flutura Açka u shpreh se PD-ja po prodhon më shumë ngjarje se sa mund t’i konsumojë dhe nuk po bëhet opozitë.

Açka tha se opozita po merret me veten, po i bën opozitë vetes, dhe shtoi se nuk mendon se kjo situatë do të përfundojë shpejt në këtë parti.

Açka: Grupi parlament i PD-së ka një larmi dhe kanë integritet dhe pavarësisht se çfarë ndodh, në tërësinë e tij është grup i pastër. PD-ja po prodhon më shumë ngjarje se sa mund t’i konsumojë dhe nuk po bëhet opozitë. Opozita po merret me veten, po i bën opozitë vetes.

Kam përshtypjen se do të vazhdojmë dhe do ta kemi të vështirë që të çlirohemi nga ky makth që po kalon PD-ja. Unë e quaja 8 janarin si një moment thyerjeje në PD. Nga ajo ditë kanë ndodhur shumë gjëra, sa është e vështirë që të bësh edhe historikun e gjërave.