Konfiskimi i RTV Ora, Açka: Arbitraritet, Rama dikur është rrahur për fjalën e lirë, sot do ta kontrollojë

Në emisionin “Drejt” në RTV Ora nga Luan Rama, deputetja demokrate Flutura Açka u shpreh se ka një arbitraritet në raport me konfiskimin e RTV Ora.

Açka tha se një gjë e tillë ndodh kur pushteti ngatërrohet me shtetit, dhe shtoi se Rama do të godasë fjalën e lirë dhe gazetarët.

Açka: Kur pushteti ngatërrohet me shtetin, ndodhin gjëra të tilla. Administratorët nuk e kanë fare ndjeshmërinë me atë që kanë vite që e menaxhojnë një televizion. Ky lloj arbitrariteti edhe ndaj televizioneve të tjera dhe RTV Ora, nuk tregon gjë tjetër se duan që të kontrollojnë çdo çast fjalës së lirë dhe gazetarëve. Një qeveri që vjen në pushtet dhe thotë në fjalën e parë që media është kazan, një kryeministër që ka ardhur në pushtet me gazetarët që i kanë ofruar kamerat dhe studiot e tyre, një njeri që është goditur kur ka thënë fjalën e lirë, pikërisht sot në pushtet ka një sjellje tjetër.

Çfarë është kjo metamorfozë që ndodh me njerëz, ditën e nesërme që janë në pushtet? Do të thotë që diçka ndodh në thelbin e tyre. Nëse do të njohësh një person jepi pushtet, do të njohësh Ramën, jepi pushtet.