Goditën me sqepar bodygardin e Ozilit, apelohet vendimi kërkohet mbyllja në burg e burrit të kancelares. Në kërkim i biri

Vendimi i gjykatës së Përmetit, që solli lirimin nga qelia të Klement Ndinës, ka sjellë reagimin e prokurorisë së rrethit, duke kundërshtuar vendimin dhe kryer apelimin në gjykatën e Apelit të Gjirokastrës.

Prokurori i çështjes Asllan Bajramaj, ka kërkuar që Klement Ndina, i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” kërkon rrëzimin e vendimit të gjyqtares, Yrfet Shkreli, duke caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”.

Klement Ndina, akuzohet se së bashku me djalin e tij Justin Ndina, kanë qëlluar me sqepar dhe sende të tjera të forta si levë, shtetasin Kostandin Xhallo.

Ky i fundit kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur në qytetin e tij të lindjes, pasi jeton dhe punon në Angli, duke shërbyer si bodigardi i mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozil.

Sulmi ka ndodhur pas sherrit pse më zure me makinë rrugën, ku banon Klement Ndina në Përmet.

Xhallo, është qëlluar gati 6 herë me sqepar dhe leva në bulevardin e Përmetit ku është shembur pa ndjenja, ndërkohë me helikopter të ushtrisë është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë mjekim intesiv.

Policia ka mundur të arrestojë Klement Ndinën ndërsa djalin e tij Justinin e ka shpallur në kërkim policor.

Klement Ndina, doli para gjykatës së Përmetit, ku ndryshe sa kërkoi prokurori i çështjes masën e “arrestit në burg”, kryegjyqtarja Yrfete Shkreli, caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për Ndinën.

Tashmë prokuroria ka Apeluar këtë vendim, duke kërkuar mbajtjen në burg.

Nga ana tjetër prokuroria gjatë këtyre ditëve do çojë në gjykatë dhe një kërkesë të dytë, për caktimin e masës së “arrestit në burg” për Justin Ndinën i cili rezulton të jetë djali i kancelares së Gjykatës së Përmetit, Oriana Dervishi.

Justin Ndina është tashmë në kërkim policor.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.