Favorizim për Elvis Demçen, drejtori i spitalit në Itali nën hetim për korrupsion e evazion viskal
Policia Italiane ka vënë nën hetim nën akuzën e certifikatave false, korrupsion e evazion fiskal mjekun psikiatër Andrea Pacileo, drejtori i një spitali publik në Romë.
Akuza ndaj tij është se si mjek personal i shqiptarit Elvis Demçe, ka favorizuar daljen e tij nga kushtet e dënimit, përcaktuar nga Gjykata Italiane.
Elvis Demçe konsiderohet një nga kriminelët më të rrezikshëm të mafias shqiptare në Romë e një bos i fusqishëm i trafikut të kokainës, marijuanës e hashashit në territorin e kryeqytetit italian.
Mjeku psikiatër e drejtor në një nga spitalet më të mira të Romës, San Giovanni, ka firmosur certifikata mjekësore false që favorizonin lehtësime në vuajtjen e dënimit të Elvis Demçes e daljen shpesh nga kushtet e arrestit për motive kurimi.
Periciet mjekësore si dhe certifikatat e firmosura nga Andrea Pacileo i shërbenin Demçes për të dalë nga kushtet e arrestit shtëpiak e për të takuar bashkëpunëtorët e tij.
Çdo vizitë kushtonte miniumi 300 euro e prokurorët italianë hedhin dyshimet se mjeku italian ka qenë në librin e pagesave të bosit shqiptar e që me certifikata mjekësore të falsifikuara favorizonte aktivitetin e kreut të mafias shqiptare në Romë.
Një dosje e plotë me certifikata të tilla janë përdorur dhe nga avokatët e tij mbrojtës për të dokumentuar se bosi shqiptar nuk mund të qëndronte në burg për motive shëndetësore.
Vënia nën hetim e mjekut të Demçes pezullon pretendimet e palës mbrojtës për lehtësime në dënimin e Elvis Demçes.
Prokurorët italianë ngrejnë akuzën se drejtori i një spitali publik italian e vetë kjo strukturë është përdorur nga një mafioz për t'i shpëtuar kushteve të dënimit të Gjykatës italiane e për të lëvizur e takuar cilindo që ai dëshironte.
Shqiptari Elvis Demçe, 37 vjeç, prej shumë vitesh banues në Romë, u arrestua më 18 janar 2022 nga Antimafia Italiane, nën akuzën si drejtues i një organizate kriminale mafioze, narkotrafikante.
Në banesën e tij, u gjetën prova të rëndësishme mbi lidhjen me klanin mafioz të Fabrizio Piscitello, i njohur me nofkën Diabolik.
Hetimet ndaj Demçes u gërshetuan me hetimet për vrasjen e kapos së tifozerisë laziale Fabrizio Pischitello, e zbardhën ambiciet e shqiptarit për të kontrolluar tregun e drogës në Romë e për t'u bërë sic thotë ai "Narkotrafikanti më i fuqishëm i epokës moderne".
Elvis Demçe ka një profil të lartë kriminal me ambicien për të vënë nën kontroll trafikun e drogës në të gjithë kryeqytetin italian.
Pak ditë më parë Prokurorët e Antimafias italiane kërkuan 187 vite burg për 16 të arrestuar të konsideruar anëtarë të mafias shqiptare me aktivitet kriminal në Romë, drejtuar nga Elvis Demçe ndaj të cilit u kërkua 20 vite burg pasi ka pranuar dënim të shkurtuar e po aq u kërkua për rivalin e tij në aferat kriminale, shqiptari Ermal Arapaj.
