Manja pret në zyrën e tij ministrin çek të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka pritur sot Ministrin e Drejtësisë të Republikës Çeke Pavel Blazek.

Çekia kryeson presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së dhe është organizatorja e ministerialit “Për Drejtësinë dhe çështjet e brendshme” që zhvillohet në Shqipëri sot dhe nesër.

Manja falenderoi z.Blazek për përzgjedhjen e vendit tonë për zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, i dyti që mbahet në Shqipëri.

Pasi bëri një paraqitje të reformave të kryera në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e ligjit, Manja njohu homologun çek me gjithë strukturën e ngritur dhe funksionin maksimal në rrugëtimin integrues të Shqipërisë. Ai falenderoi paraprakisht ministrin çek të drejtësisë për çdo asistencë që ky vend mund të ofrojë në kuadër të negociimit të Kapitullit 23. Po ashtu vlerësoi çdo bashkëpunim, i cili sjell maksimalizimin e mundësive në realizimin e projekteve në fushën e integrimit, antikorrupsionit dhe drejtësisë.

Nga ana e tij ministri Blazek vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe reformat e kryera në shumë fusha. Ai u tregua i hapur për rritjen e bashkëpunimin dhe ndihmesë në ngritjen e forcimin profesional të kapaciteteve njerëzore në fushën e antikorrupsionit e drejtësisë.

Blazek shprehu bindjen se BE dhe Ballkani Perëndimor kanë një marrëdhënie të shkëlqyer mes tyre dhe se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor nuk është tjetërkund përveçse në familjen europiane.