Adoleshentja e dhunuar iraniane kërkon përjashtimin nga Kupa e Botës

Nuk ndalen akuzat ndaj Iranit për dhunimin e njerëzve dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut aq sa FIFA merr përditë mesazhe të rëndësishme për përjashtimin e skuadrës nga Kupa e Botës. Një deklaratë shokuese ka bërë një adoleshente e cila ka akuzuar autoritetet për dhunë çnjerëzore.

17-vjeçarja Mahnaz u ndal nga “policia e moralit” teksa po kthehej në shtëpi dhe pasi i pyeti për motivin e ndalimit, ata nisën ta dhunonin me grushta e shkelma. Në një letër të hapur adresuar gazetës “The Sun” ajo bën publike kërkesën e saj adresuar FIFA-s për përjashtimin e Iranit nga Kupa e Botës pasi një vend që nuk respekton e madje dhunon njerëzit e vet, nuk meriton pjesëmarrjen në një kompeticion kaq të rëndësishëm.

Pak ditë më parë edhe një grup lojtarësh të kombëtares së Iranit kërkuan përjashtimin e skuadrës ndërsa Ukraina e ngriti edhe më shumë zërin duke i kërkuar FIFA-s përjashtimin pasi e akuzoi se po furnizon me armë dhe dronë makinerinë ruse të luftës.