Dhuna e të moshuarës, psikologia: Ka ndodhur dhe herë të tjera pasi të tjerave u dukej shumë normale

E ftuar në RTV Ora, në emisionin "Ditë e Re", psikologia Sonila Luzi ka deklaruar se dhuna e ushtruar ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të moshuarve në Pejë nuk ka fajtor vetëm atë që e ka kryer, por të gjithë ata që e kanë parë e nuk kanë vepruar.

"Nuk është fajtor vetëm ajo që e ka kryer veprimin. Fajtor janë të gjithë ata persona që kanë heshtur, e kanë parë. Je dyfish trim kur ti flet në një situatë kur të gjithë janë unik në një veprim të caktuar. Ti je hero nëse ti ndalon ose reagon duke mos heshtur.

Heshtja është njësoj, në gjykimin tim, si dhe ai që e ka bërë veprimin. Ndaj unë i gjykoj dhe vajzat që qeshnin, kalonin dhe nuk i bënte përshtypje. Kjo tregon që ky rast ka ndodhur disa herë, pasi pjesa tjetër kalonte aty sikur asgjë s'ishte duke ndodhur.Mendoj që ka ndodhur shumë herë të tjera, derisa atyre u dukej normale," tha ajo.

Arjola Shehu: Po psikologjia e zonjës që ishte viktimë?

"Nuk më hiqej nga mendja fytyra e saj e tmerruar, pafuqia dhe pafuqia për të reaguar, zëri i saj…nuk di të them.

Jam realisht e prekur dhe mbrëmë kisha atë furinë dhe inatin për të reaguar keq, por sot mendoj që duhet bërë diçka për pjesën tjetër. Të mos ndodh sërish. Ne si shoqëri duhet të reagojmë duke i thënë pjesës tjetër që punojnë aty: Jeni nën vëzhgim, kujdes me këtë pjesë kaq vulnerable," tha ajo.

Sa i përket infermieres që e dhunoi, për të deklaroi ajo nuk ka falje, pasi nëse nuk do të donte ta bënte atë punë, ajo fare mirë mund të hiqte dorë prej saj, jo të dhunonte të moshuarën.

"Zonja mendohet se ka pasur alzhajmer. Sigurisht ti e ke marrë pjesë ku punon, do kesh situata të vështira. Ti e ke marrë parasysh profilin e punës, dhe pikat e caktuara.

Por ti ke rënë dakord, ti i di detyrat e tua. Në këtë moment ti nuk ke pse të reagosh keq. Nëse stë pëlqen puna, je i lirë të lësh punën, është e drejta jotë. Por në asnjë mënyrë nuk mund të sillesh ashtu në mënyrë kaq çnjerëzore me atë nënë aq të pambrojtur," tha ajo.