Dhunimi i të moshuarës në Pejë, gazetarja: Ishte duke qarë, donte të fliste me mua, por nuk na lejuan

Gazetarja nga Kosova Blerta Zuka ka treguar momentet e par kur shkoi në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, ku u dhunua një e moshuar. E ftuar në RTV Ora, në emisioni "Ditë e Re" ajo tregoi se në momentin e parë që shkoi atje, e moshuara ishte në gjendje të rëndë psikologjike, duke qarë, dhe kishte kërkuar të fliste me të, por pronari i shtëpisë nuk i kishte lejuar.

"Sapo hyra brenda rashë në kontakt me të moshuarën që ishte në krah të vajzës së saj dhe dhëndërit, si dhe me pronarin e kësaj shtëpie.

Ajo ishte një shtëpi private. Pagesa mujore për trajtimin e të moshuarëve në këtë shtëpi ishte 650 euro," tha ajo.

Arjola Shehu: Nuk e di sa e vërtetë është, por kam dëgjuar që pas ngjarjes shumë të moshuarit janë tërhequr nga kjo shtëpi.

Blerta Zuka: Nuk do të thoja shumë, por sa kam qëndruar unë aty kam parë dy familje që kanë tërhequr përkohësisht të afërmit e tyre, por jo me ndonjë dokument zyrtar. Gjatë kohës sa kam qëndruar aty ka patur edhe familjarë të shumtë të shqetësuar për ti parë nga afër të afërmit që janë aty, për të parë nëse janë mirë apo jo.

Arjola Shehu: Po sa i përket zonjës së moshuar që u dhunua, çfarë po ndodh me të aktualisht. Në video pamë që ajo ishte tërhequr nga shtëpia.

"Kur kam shkaur atje dhe rashë në kontakt me të ajo donte të bisedonte me mua dhe ishte në një gjendje mjaft të rënduar emocionale, për shkak se ishte dhe duke qarë teksa e mbante për krahu dhëndri i saj dhe vajza.

Ajo kishte rreth një vit që po qendronte aty, dhe siç e thashë ishte në një gjendje mjaft të keqe. Por pronari i shtëpisë nuk më lejoi të kisha kontakt më tutje me të edhe pse ajo ishte vetë që kërkonte të fliste diçka, por nuk pata mundësi."