Flet vajza e të moshuarës së keqtrajtuar: E vizitova 4 ditë më parë, i pashë shenja në faqe por…
Vajza e gruas së moshuar e cila është keqtrajtuar fizikisht në një qendër për të moshuar në Pejë, nën emocione ka thënë se është e tronditur nga dhuna e shfaqur ndaj nënës së saj.
Zhaneta Nura ka dhënë detaje në lidhje me rastin që i ka ndodhur nënës së saj, duke thënë se atë e ka vizituar minimum një herë apo dy herë në javë.
Hera e fundit ishte katër ditë më parë. Për gazetaren Edita Doli ajo tha se kishte vërejtur shenja dhune në faqen e nënës së saj, por që nuk e ka besuar se këtë mund ta kishin bërë punëtoret e qendrës.
“Minimumi një herë apo dy javë e kam vizituar, para katër a pesë dite e kam parë një shenjë dhune në faqe, por me më shku mendja në një rezidencë që ka dhunë me standarde zvicrane, aspak.
Nënën e kam tërhequr automatikisht, tash unë mendoj dhe shpresoj shumë që drejtësia ta qetë në dritë këtë punë. Nënës time i ndodhi, por mos t’i ndodhë tjerëve.
Të ushtrojnë dhunë në një gruaje 70-vjeçare, tri infermiere njëra nga to kishte ushtruar dhunë maksimale me ia lidhë duart e dy tjerat me përqesh ky është fundi i botës. Jam shumë e emocionuar".
Ajo tha se do të bëjë gjithçka që drejtësia të shkojë në vend.
Ndërkohë prokurori i Prokurorisë së Pejës, Dorian Juniku, që po heton rastin deklaroi se ka informacione se në qendrën e të moshuarve në Pejë mund të ketë raste të tjera të dhunës, edhe ndaj të moshuarve të tjerë, përveç asaj që u raportua gjatë ditës së mërkurë.
Juniku, theksoi se prokuroria është ende në fazën hetimore, dhe se nuk do të ndalen derisa ky rast të zbardhet.
