Ambasadori gjerman në Kosovë: Targat të hiqen gradualisht, serbëve tu bëhet e qartë përdorimi i tyre

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar të martën për vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të shkallëzuara që kanë hyrë në fuqi nga 1 nëntori.

Ambasadori u shpreh se Bashkimi Evropian dhe vendet e QUINT-it gjithnjë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë t’i heqë gradualisht targat ilegale, në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

“Ne si BE dhe QUINT kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat. Kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, që të zgjidhen çështjet teknike të mbetura në mënyrë pragmatike”, ka shkruar ai.

Ambasadori gjerman ndërkohë shtoi se duhet të ndiqet këshilla për shtyrjen e afatit për targa për 10 muaj të tjerë dhe serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës.

“Do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzim. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, - shtoi ai.

Nga dita e sotme, 1 nëntor 2022, ka nisur zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale jo të republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të qeverisë do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, ndërsa në fazën e dytë të konvertimit të targave, do të gjobiten me 150 euro.