Libra të rinj nga klasa e parë në të tretën, Ministria e Arsimit: Kanë shumë shënime, nxënësit kanë hasur vështirësi
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njoftoi të martën se nxënësit nga klasa e parë në të tretën do të mësojnë me libra të rinj e jo më të përdorur. Kushi tha se për shkak të shënimeve të shumta fëmijët kanë hasur vështirësi. Nga Komisioni Parlamentar i Edukimit, Kushi pranoi se pagat e pedagogëve janë të ulëta por tha se qeveria nuk ka mundësi t`ua rrisë më shumë.
Për vitin 2023 buxheti për arsimin do të jetë 47 miliardë lekë, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se ky vit.
Në Komisionin Parlamentar të Edukimit teksa informoi mbi ndarjen e këtij buxheti sipas sektorëve, ministrja Kushi njoftoi se librat për nxënësit e klasave të para deri në të tretën do të jenë të rinj dhe jo më të përdorur.
"Kemi gjykuar që është e vështirë dhe jofunksionale, joefiocentë që librat të përdoiren përsëri sepse nxënësit janë të vegjël dhe nuk arrijnë dot ti mirëmbajknë por edhe tekstet janë të tilla që kanë shënime."
Laboratorët e teknologjisë dhe informacionit do të shtrihen edhe në shkolla të tjera, ndërsa në janar në shkolla do të nisë një program për artet dhe zejet që do t`i kushtojë Ministrisë së Arsimit 100 milionë lekë.
"Janë rreth 1200-1500 nxënës të arsimit parauniversitar që do të përfitojnë nga këto bursa apo kuota ushqimore me një buxhet në total 170 milion lekë."
Rritjen me 15% të pagave të pedagogëve dhe vetë Kushi e konsideroi të pamjaftueshme, por tha se qeveria nuk ka mundësi për më tepër.
"Duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk është se buxheti i shtetit ka mundësi më shumë dhe ne po ua heqim pedagogëve këtë të drejtë."
Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, Ministrja Kushi njoftoi se për vitin 2023 do të akordohen 12.6 miliardë lekë, gati 1 miliardë lekë më shumë se këtë vit.