Një muaj negociata në "kosh", PD shkon e ndarë në zgjedhjet vendore

Gati një muaj negociata dhe asnjë rezultat. Dy grupimet, brenda Partisë Demokratike, të përfaqësuar nga Gazment Bardhi dhe Edi Paloka nuk kanë arritur një kompromis për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Lajmin e konfimon grupi parlamentar i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili u mblodh pasditen e të martës.

 “Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ata kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale” .

Grupi parlamentar demokrat bën të ditur gjithashtu se pala tjetër refuzoi edhe paketën finale të propozimeve dhe këtë e konsideron si mungesë sinqeriteti dhe vullneti për të gjetur zgjidhje.

Pretendimet ndërkaq u hodhën poshtë nga Sali Berisha i cili tha se askush nuk mund të prekë flamurin e PD.

"Ata nuk duan as statutin, as primaret dhe as fraksionin. Të sigurt të jeni se ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë, shumë keq."

Në këtë situatë ligjvënësit demokratë kërkojnë të informojnë Kryesinë e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme vendore.