"Ky është shtet kashte!" Berisha mobilizohet për 12 nëntorin: Tirana duhet të jetë në rrugë, i madh dhe i vogël
Pasi dështimit për të çuar PD të bashkuar në zgjedhjet lokale, për Sali Berishën protesta e 12 nëntorit merr një rëndësi akoma më të madhe.
Në takimin me kryetarët e degëve në Tiranë, porosia ishte e qartë: Kryeqyteti duhet të jetë në këmbë, i madh dhe i vogël.
I vetëdijshëm se nuk do jetë një betejë e thjeshtë, Berisha i siguroi se finalizimi është me fitore.
Berisha: Tani nisim betejën, kjo nuk është betejë e thjeshtë por ju siguroj se këtë betejë do ta fitojmë. Kemi kauzë të drejtë, po mbrojmë interesa jetike të çdo qytetari përveç grupit të hajdutëve rilindas. Ata jo. Grupi i hajdutëve rilindas janë për tu marrë një nga një dhe për të shkuar atje ku e kanë vendin me në krye Edi Ramën.
Në këtë hark kohor që kemi deri me datën 12 nëntor duhet të bëjmë punën më intensive që kemi bërë ndonjëherë për protestën më të fuqishme. Tirana me të madh dhe të vogël duhet të jetë në rrugë. Po vjen janari, biznesit të vogël i shtohet taksa 23%, profesioneve të lira 23%, t'ia mbathin nga Shqipëria dhe ata!
Çfarë do bëjnë ata në Shqipëri, i falimenton! Shqiptarët shpëtimin e presin nga ne, qëndron në sakrificën, guximin, përpjekjen tonë. Le të thotë ai çfarë të dojë, e ka mbushur kupën dhe duhet të qërohet! Ai qëndron në pushtet mbi votën e dhunuar, mbi vjedhjet e tmerrshme të pasurive. Nuk ka kryeministër në botë që mund të qëndrojë në karrige kur dalin superskandale si ajo e djegësve. Paguhen çdo javë paratë për djegësat se është ndërmarrje personale e tij, Agaçit dhe Veliaj.
Duhet të bëjmë gjithçka për një start të fuqishëm të protestave të cilat janë në kohën më të duhur, më të përshtatshme dhe që duhet të çojnë drejt fitores. Ky monizëm duhet përmbysur, ne nuk e pranojmë. Ky monizëm është regjimi më i urryer që kanë njohur shqiptarët pas regjimit të Enver Hoxhës. Demokratët në këmbë kudo që janë. E mundimshme, e lodhshme, me sakrifica, me dhunë dhe terror ndaj nesh por ne do fitojmë, ne do të përmbysim këtë regjim. Ky është shtet kashte, droge dhe krimi.
Koha i thërret sot demokratët më shumë se kurrë, të ngrihen në lartësinë e guximit të tyre dhe të fillojnë me datë 12 betejën e madhe kundër këtij regjimi. Këto ditë duhet detyrimisht të organizoni takime në çdo bllok, rrugicë dhe rrugë. Të bisedoni me qytetarët. Do të përzëmë Edi Ramën, kësaj të keqeje të madhe që u ka rënë shqiptarëve do ti tregojmë vendin.
Akuzës së Ramës se demokratët kanë hallin e pushtetit të tyre dhe jo qytetarëve i dha këtë përgjigje.
Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë ne. Do votojnë shqiptarët të lirë. Që tani ka filluar makineri shtetërore në zgjedhje. E ke bërë njëherë atë por të jesh i sigurt se kurrë më jo. Po e bërë do ta paguash shumë shtrenjtë. Gjithë këtë betejë po e bëjmë për votën, që shqiptarët të votojnë të lirë. Ky thotë vota jam unë dhe ne do ti themi se çfarë është.
Porosi pati dhe për primaret.
Berisha: Duhet të bëjmë gjithçka për primare shembullore. Duhet të përmirësojmë çdo gjë që të jemi sa më të sigurt dhe transparent në procesin e primareve që do të zhvillojmë për Tiranën dhe Shqipërinë.
Suksesi i këtij procesi është deçiziv për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, ndaj porosia ishte e qartë: Nuk duhet të shërbejë si sebep për ndasi të reja.
Berisha: Bashkë me ju do përcaktohen rregullat më transparente, qendrat e votimit, numërimi më transparent i votave. Kandidatët do të kenë komisionerin e tyre nëse dëshirojnë ose përfaqësuesin. Partia ka përgjegjësi për administrimin por në këtë proces duhet të bëjmë gjithçka që çdo kandidat të nijë se çdo votë e hedhur për të është numëruar me korrektesë në mënyrë që pas këtij procesi ata në mirëkuptim të plotë të shndërrohen edhe ai që fitoi dhe ai që nuk fitoi në faktorë të rëndësishëm të fitores tonë kundër Erion Veliaj në këto zgjedhje.
Të mos lejojmë kurrësesi që gara jonë për defekte të krijojë sherr dhe ndasi, në asnjë rast. Ju duhet të jeni garanti më kryesor të integritetit të kësaj gare. Duhet të jeni gardianë. Ta mbrojmë votën. Po bëjmë betejë me tjetrin që shkelmon votën, por këtu brenda duhet të jemi model. Duhet të frymëzojmë shqiptarët me qëndrimin tonë ndaj votës, procesin që realizojmë, transparencën që dëshmojmë.
Kam shumë besim se 7 korriku do të jetë një sukses i zbehtë në krahasim me suksesin e 12 nëntorit, në dorë e kemi. Ai ishte sukses i madh por ky duhet të jetë më i fuqishëm dhe më i madhi që ka parë Tirana në të gjithë kohërat e saj. Në këtë mëntyrë ne ndezim sinjalin e shpresës.
