Plas skandali në Marinën Mbretërore, marinset akuzojnë kolegët për sulme seksuale, shefi urdhëron hetim
Marina Mbretërore e Britanisë ka nisur një hetim pasi një nga gratë e para që iu bashkua ekuipazhit të një nëndetëse denoncoi në media se ishte ngacmuar seksualisht në Shërbimin e Nëndetëseve.
Shefi i Marinës, Admirali Ben Key, theksoi se "ngacmimi seksual nuk ka vend në Marinën Mbretërore dhe nuk do të tolerohet".
Në një postim në Twitter, ai i quajti “të neveritshme” akuzat në ankesë dhe zbuloi se kishte urdhëruar një hetim.
“Kushdo që shpallet fajtor duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, pavarësisht gradës së tij”, theksoi ai.
Daily Mail publikon dëshminë e Sophie Brooke, një nga gratë e para që shërbeu në një nëndetëse të Marinës Mbretërore pas reformës së vitit 2011, kur ky shërbim pushoi së qeni prerogativë ekskluzive e burrave.
“Ishim shumë afër që të dilte diçka e mirë. Unë isha pothuajse komandantja e parë femër e nëndetëseve në botë (…) por që nga dita e parë, nuk pata asnjë mbështetje”, tha Brooke.
Sipas saj, anëtarët meshkuj të ekuipazhit kishin përpiluar një listë që përcaktonte rendin në të cilin gratë do të sulmoheshin në rast të një ngjarjeje katastrofike.
Sophie Brooke, një tregon më tej se ishte sulmuar seksualisht nga një burrë i një rangu më të lartë teksa flinte. Ajo pretendoi gjithashtu se një oficer i lartë e goditi me grusht në veshkë.
Ndërkohë një tjetër i la foto të zhveshura të modeleve dhe para, në rast se do të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim.
Gra të tjera pretenduan se u kërkohej shpesh të kryenin akte seksuale dhe disa herë janë dhunuar.
Thuhet se abuzimi ka ndodhur për më shumë se një dekadë.

