Itali/ Pse i sulmoi njerëzit me thikë, flet autori i sulmit në supermarket

Detaje të reja janë zbardhur për goditjen me thikë të ndodhur në qendrën tregtare “Milano Fiori” në Assago, Milano.

46-vjeçari i arrestuar, Andrea Tombolini , i ka shpjeguar prokurorit pse mori një thikë nga raftet e supermarketit Carrefour dhe goditi gjashtë persona, duke vrarë njërin. 

"Mendova se isha i sëmurë, isha i sëmurë. Pashë të gjithë ata njerëz të lumtur, që ishin mirë dhe u ndjeva ziliqar ", tha ai.

Burri, i akuzuar për vrasje dhe tentativë vrasjeje, ishte nën trajtim prej një viti për probleme mendore dhe tani është nën vëzhgim në spitalin San Paolo në repartin e psikiatrisë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas hetuesve, 46-vjeçari ishte i papunë, i vetëm dhe vuante nga depresioni i rëndë. Ai jetonte me babanë, nënën dhe motrën. 

Kryeprokurori i Milanos Marcello Viola  ka paraqitur një kërkesë për akuzat e plagosjes dhe vrasjes të dyfishtë në tentativë dhe shtimin e masës së paraburgimit në ambientet e kujdesit në pavijonin e psikiatrisë së një spitali.

Pas asaj që ndodhi, Prokuroria Publike e Milanos propozoi që supermarketi Carrefour të hiqte thikat për shitje nga raftet e të gjitha supermarketeve të saj italiane nga frika e ndonjë incidenti tjetër.

Kjo ftesë u mirëprit nga rrjeti i supermarketeve i cili njoftoi se kishte “hequr të gjitha objektet e mprehta nga të gjitha pikat e shitjes”. Kompania tha gjithashtu se, nga respekti për viktimën ( një punonjës, Luis Fernando Ruggieri, një bolivian 46-vjeçar), supermarketi do të mbyllet në ditën e funeralit. 

"Jemi në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me familjet e përfshira për t'i mbështetur në çdo mënyrë të mundshme dhe jemi në dispozicion të plotë të autoriteteve kompetente për të siguruar që drejtësia të shkojë në rrugën e saj. Gjithashtu, do të shpallen dy momente heshtjeje në të gjitha pikat e shitjes në Itali, në orën 12 dhe 17,” tha një përfaqësues i kompanisë.