"Stop emigrantëve nga kanali i La Manshit" Kryeministri i ri britanik i telefon presidentit Makron
Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, të premten pati telefonatën e tij të parë zyrtare me presidentin francez Emmanuel Macron, vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës.
Sunak tha se lidhjet me Francën "zgjaten në shekuj" dhe vuri në dukje se të dy vendet bashkëpunojnë ngushtë për një sërë çështjesh që nga lufta në Ukrainë e deri te siguria e energjisë.
Megjithatë, diskutimet kryesore ishin rreth emigrantëve që kalonin Kanalin e La Manshit, dhe në këtë çështje Mbretëria e Bashkuar kërkoi ndihmën e Francës, raporton Euronews.
Kanali i La Manshit është rruga kryesore të cilën përdorin edhe emigrantët shqiptarë për të shkuar në Britaninë e Madhe. Sipas autoriteteve britanike, deri në 80% e këtyre emigrantëve të rinj janë shqiptarë.
Qeveria Konservatore e Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë premtime të përsëritura që prej Brexit, mbi nevojën për të reduktuar fluksin e emigrantëve që vinin nga kontinenti i Evropës në Britani, shpesh në kushte shumë të rrezikshme, me qindra jetë të humbura vetëm këtë vit.
Por britanikët nuk kanë parandaluar dot numrin e njerëzve që tentojnë hyrjen në Britaninë e Madhe.
"Kryeministri theksoi rëndësinë që bart për të dy vendet, kontrolli i La Manshit, për ta bërë plotësisht të pakalueshëm për trafikantët e qenieve njerëzore. Liderët u zotuan të thellojnë partneritetin e tyre për të dekurajuar kalimet vdekjeprurëse të Kanalit nëpërmjet të cilit përfitojnë grupet kriminale të organizuara," tha Downing Street në një deklaratë.
Pala franceze deklaroi "gatishmërinë" e Macron për të "thelluar marrëdhëniet dypalëshe midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, çështjeve strategjike dhe energjisë".
Qeveria britanike tashmë po ndihmon financiarisht autoritetet franceze për të monitoruar edhe më mirë bregdetin francez me qëllim parandalimin e hyrjeve të paligjshme.
Por sipas gazetës The Times, Rishi Sunak dëshiron të shkojë edhe më tej. Ai kërkon një marrëveshje me objektiva sasiorë për varkat e përgjuara, një numër minimal agjentësh francezë të caktuar për të monitoruar plazhet dhe roje kufitare britanike për t'i shoqëruar ata, raporton Euronews.
Ai synon të vendosë objektiva që 80% e kërkesave për azil, të shqyrtohen brenda gjashtë muajve, krahasuar me një mesatare prej 480 ditësh, ndërkohë që shtrëngon kushtet për dhënien e azilit.
Numri rekord i kalimeve të Kanalit
Që nga fillimi i vitit, më shumë se 38 mijë emigrantë kanë bërë kalimin e rrezikshëm të Kanalit Anglez me varka të improvizuara, më shumë se në të gjithë vitin e kaluar, që ishte gjithashtu një rekord, 308 të tjerë mbërritën të enjten, 27 tetor 2022.
Sipas autoriteteve britanike, deri në 80% e këtyre emigrantëve të rinj janë shqiptarë.

