Gazetarja shtetërore ruse vritet nga ‘plumbi qorr’ në bazën e Krimesë

Një gazetare ruse që punonte për një grup mediatik të mbështetur nga Kremlini, humbi jetën në një aksident me të shtëna në një terren trajnimi ushtarak në Krimenë e pushtuar nga Rusia, kanë raportuar zyrtarë të Moskës dhe medias shtetërore.

Svetlana Babayeva, e cila u vra të premten, 28 tetor 2022, drejtonte byronë e grupit mediatik shtetëror rus Rossiya Segodnya në Simferopol, qyteti i dytë më i madh në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në 2014.

RIA Novosti, një agjenci ruse e lajmeve dhe degë e Rossiya Segodnya, raportoi të premten se Babayeva u vra nga një plumb qorr gjatë stërvitjes me të shtëna në një terren stërvitor ushtarak, raporton Aljazeera.

Nuk u dhanë detaje të tjera për vrasjen e gazetares.

Figura të shumta pro-Kremlinit i bënë homazhe Babayevës në postimet e rrjeteve sociale.

Sergei Aksyonov, guvernatori rus i Krimesë, e quajti vdekjen e saj një humbje të pazëvendësueshme.

"Svetlana bëri shumë për t'i përcjellë publikut të vërtetën rreth asaj që po ndodh në rajonin e Khersonit," tha Vladimir Saldo, kreu rus i Khersonit.

Zëdhënësja e Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, shkroi në faqen e saj në Telegram:

“Të dua shumë, Sveta”.

Ukraina ka sanksionuar grupin mediatik Rossiya Segodnya, duke e quajtur CEO-n e tij Dmitry Kiselyov si "figura qendrore e propagandës qeveritare, që mbështet hyrjen e trupave ruse në Ukrainë".

Në një deklaratë të postuar nga RIA Novosti, Kiselyov tha se Babayeva ishte një "person i ngrohtë, që mbështeti fuqishëm Rusinë" dhe "dëshironte të mbështeste heronjtë tanë".

Babayeva ka qenë më parë shefe e zyrës për RIA Novosti në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe redaktore e faqes së internetit Gazeta.Ru, tha agjencia.

Gazeta.Ru nderoi ish-kryeredaktoren e saj për të cilën ata thanë se ishte një "profesioniste e standardeve më të larta", raporton Aljazeera.