Serbia, në hall për naftë ruse, Beogradi me dy skenarë: Nga Hungaria, ose nga Porti i Durrësit
Këto mund të jenë 2 muajt e fundit që Serbia merr naftë nga Rusia përmes tubacionit kroat. Beogradit i duhet të gjejë alternativa për të siguruar rreth 25% të importit që siguron nga Moska. Alternativat janë që ta marrë atë nga Hungaria, apo edhe nga Porti i Durrësit përmes Maqedonisë.
Në më pak se dy muaj, Bashkimi Evropian pritet të zvogëlojë për rreth 90% të importeve të naftës ruse. Vendimi u mor në maj, si pjesë e një pakete sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të sulmit të Ukrainës.
Serbia nuk iu bashkua këtyre sanksioneve kundër Rusisë, por kjo pritet të ketë ndikim në furnizimet e vendit me naftë.
Sipas të dhënave të vitit 2021, Serbia prodhon rreth 20 për qind të naftës që i nevojitet, ndërsa pjesën tjetër rreth 80 për qind e importon kryesisht nga Iraku, Rusia, Kazakistani dhe Norvegjia.
Rusia është furnizuesja e dytë më e madhe e saj, duke i siguruar një të katërtën e naftës që i nevojitet.
Afro 64% të naftës, Beogradi e siguron nga Iraku, 23% nga Rusia, 10% nga Kazakistani dhe 3% nga Norvegjia.
Aktualisht, nafta ruse arrin në Serbi nëpërmjet Kroacisë, por megjithatë furnizimet ka të ngjarë të ndërpriten, pasi të gjitha importet e naftës përmes detit në vendet e BE-së përfshirë Kroacinë do të ndalohen nga 5 dhjetori.
Edhe pasi cisternat e naftës ruse të mos lejohen më në Bashkimin Evropian, nafta do të vazhdojë të arrijë në disa vende evropiane përmes tubacionit Druzhba i cili vjen nga Polonia.
Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke do të vijojnë të marrin naftë ruse përkohësisht përtej vendimit ë unionit derisa këto shtete të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Rusia.
Për rrjedhojë Serbia intensifikoi bashkëpunimin energjetik me Hungarinë.
Madje në 10 tetor kryeministri Orban dhe presidenti Vuçiç ranë dakord që të rrisin bashkëpunimin.
Ato ranë dakord për ndërtimin e një segmenti të ri të tubacionit Druzhba në mënyrë që Serbia të siguronte sërish naftën ruse.
Si alternativë, Serbia po shqyrton edhe ndërtimin e një gazsjellësi që do të kalonte përmes Maqedonisë së Veriut dhe do të shkonte në Portin e Durrësit.
Segmenti i gazsjellësit nga Pançeva në Shkup do të ishte rreth 400 kilometra i gjatë dhe 300 kilometra të tjerë do të nevojiteshin për ta lidhur atë prej atje me Durrësin. Ky do të ishte shumë më i gjatë se tubacioni përmes Hungarisë, i cili pritet të jetë 128 kilometra, por do të mundësonte diversifikim më të madh të burimeve të naftës përmes tubacionit Trans-Adriatik.