"Palët të pranojnë propozimin", Von Cramon: Është afër asaj që do Prishtina
Eurodeputetja gjermane, njëherazi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian thotë se propozimi franko-gjerman është i volitshëm për Prishtinën dhe u bën thirrje të dyja qeverive për një kompromis.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka mbrojtur propozimin e nxjerrë nga qeveria franceze dhe ajo gjermane për avancimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas zonjës Von Cramon, propozimi franko-gjerman është një kompromis i pranueshëm për dy palët.
"Kjo varet nga të dyja qeveritë, mendoj se ka të paktën një kompromis të mirë, me sa di ai është i pranueshëm, është një kompromis shumë i largët dhe uroj që të dyja qeveritë që janë në krye të bien dakord dhe ta pranojnë këtë," tha ajo.
Eurodeputetja gjermane tha se propozimi franko-gjerman i volit Kosovës.
"Të paktën ajo që kam lexuar në propozim është shumë afër me atë që Kosova do të dëshironte të shihte, prandaj do t'i këshilloja secilit që ta pranonte atë," tha ajo.
Viola Von Cramon sugjeron se edhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së plotë mes dy vendeve.
Propozimin franko-gjerman për dialogun e kanë konfirmuar në Kosovë edhe krerët institucional, por nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e tij.
Sipas publikimeve në medie, propozimi sugjeronte që Serbia të lejonte që Kosova të anëtarësohej në OKB, ndërsa Beogradi do të merrte si shpërblim avancimin drejt anëtarësimit në BE.
Megjithatë kundër mospërfshirjes së Kosovës në OKB është edhe Rusia e Kina.