Vdekja e Lear Kurtit, pyeten 17 policë, thirren edhe mjekët
Rreth 17 efektivë janë thirrur për tu marrë në pyetje për vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurti bashkë me mjekët e spitalit të Traumës. Grupi i hetimit ka dërguar një kërkesë në urgjencën e spitalit për administrimin e pamjeve filmike brenda dhe jashtë me qëllim verifikimin e kohës kur ka mbërritur trupi i të riut aty dhe veprimet që janë kryer me të. Prokuroria po heton policët për veprime arbitrare dhe mjekët për mosdhënie ndihme.
Prokuroria e Tiranës ka thirrur për të marrë në pyetje të gjithë efektivët e policisë të cilët kanë qenë në turn në momentin e ndalimit të 32 vjeçarit Lear Kurti, i cili humbi jetën në duart e uniformave blu mbrëmjen e 19 tetorit 2022.
Nga dëshmitë paraprake të dhëna nga efetivët për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, është shpjeguar itinerari që ka ndejkur patrulla që bëri ndalimin e 32-vjecarit deri në momentin kur ai ka humbur jetën.
Për të marrë më shumë informacion mbi ngjarjen, prokuroria ka sekuestruar materialet nga salla operative ku janë të dokumentuara mesazhet dhe thirrjet e bëra nga efektivet e patrullës që kërkuan përforcime, si dhe thirrën më pas ambulancën, pasi i riu nuk është ndjerë mirë.
Përveç shqyrtimit të këtyre dokumenteve, në pyetje do të merren edhe punonjësit e turnit të sallës operative. Përveç një numri prej 17 efektivësh që janë subjekt i marrjës në pyetje, dëshmitë do të dokumentohen edhe nga mjeket në spitalin e Traumës.
Drejtoria vendore e policisë së Tiranës i është drejtuar me një kërkesë spitalit të Trumës për të administruar pamjet filmike si brenda dhe jashtë ambjentit për të verifikuar orën se kur është dërguar Lear Kurti dhe veprimet e kryera nga personeli mjekësor.
Opozita ka ngritur akuza për dhunimin e të riut dhe kryerjen e veprimeve të parregullta gjatë autopsisë me qëllim manipulimin e ngjarjes.
Megjithatë Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku u zotua në Kuvend, se brenda 48 orëve do të këtë një përgjigje zyrtare për vdekjen e 32 vjeçarit. Nga ana tjetër prokuroria ka regjistruar dosjen me hetimet për veprat penale "mosdhënie ndihme por edhe veprime arbitrare"
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

