Gruaja e parë në historikun e qeverisë italiane, Meloni mbi 1 orë fjalim në parlament

Mbi një orë fjalimin manifest politik i kreu të qeverisë së djathtë italiane vë në fokus programin politik të ekzekutivit të ri, që synon së pari të garantojë sovranitetin e popullit, votën e tij e rivlerësimin e italianizimit të shoqërisë.

"Unë një underdog dhe e para grua në krye të qeverisë italiane!"

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbajtur para Dhomës së Deputetëve të Parlamentit, fjalimin e saj të parë në krye të qeverisë së sapozgjedhur, një manifest programatik me ambicien për të qeverisur deri në ditën e fundit të legjislaturës së re.

"Ndër peshat e shumta që më rëndojnë sot mbi shpatull është ajo e të qënit e para grua që drejton një qeveri italiane, e ndjej përgjegjësinë që kam ndaj të gjitha atyre grave që kalojnë vështirësi për të afirmuar talentin e tyre", hapi fjalimin e saj me një dedikim special për të jitha gratë në historinë italiane e vlerën që ato i kanë dhënë dinjitetit të gruas italiane.

Meloni ka theksuar qysh në nisje se Italia është pjesë e Perëndimit dhe e aleancave të saj, vend themelues i Bashkimit Europian, është pjesë e Aleancës Atlantike dhe i G7, e së bashku me Greqinë djepi i civilizimit perëndimor e  bashkësisë së vlerave, demokracisë, lirisë e barazisë, me rrënjë klasike judeo-kristiane."

Një orë fjalim i Melonit i cili ka renditur objektivat e qeverisjes së saj që kanë në bazë zhvillimin ekonomik të Italisë, familjen italiane, sipërmarrjet e punonjësit, zhvillimin e jugut, politikat fiskale, reformën e presidencializmit, fondet europiane të Planit të rimëkëmbjes, punësimin, shkollimin, tranzicionin teknologjik, luftën kundër mafias, emigracionin, produktet made in Italy, burimet e sektorët strategjikë të vendit, përkatësinë europiane, politikat sociale, të drejtat civile e mbajtjen e të gjitha premtimet ndaj italianëve, shprehur gjatë fushatës elektorale.

"Sot ndërpresim anomalinë e madhe italiane duke i dhënë jetë një qeverie politike", u shpreh ajo, një qeveri përfaqësuese e plotë e vullnetit të popullit."

"Dhe pse jemi në mes të një stuhie do të bëj ç'mundem për më të mirën e Italisë", u shpreh ajo përballë 400 deputetëve e duartrokitjeve të shumta të deputetëve që ndërprenë shpesh herë fjalimin e saj.

"Italianët zgjodhën një qeverisje të djathtë e kjo do të jetë një qeverisje politike për të arritur realizimin e të gjitha pikave të programit për të cilët italianët na kanë votuar."

Nuk munguan kritikat ndaj deklaratave përreth kufijve të liderave e përfaqësuesve të vendeve të ndryshme që kanë komentuar se "do të vigjilojnë ndaj qeverisë së re italiane,"

"Kjo, u shpreh Meloni nuk është një fyerje ndaj meje e së djathtës, por është një fyerje ndaj popullit italian që nuk kërkon leksione nga askush e i ftoj të harxhojnë më mirë kohën e tyre e jo të merren me ne."

Me referime të qarta ndaj akuzave të së majtës për programin e saj politik, Giorgia Meloni i është përgjigjur duke kujtuar një shprehje të Montesquieu se "liria është një e mirë që gëzon çdo të mirë tjetër".

"Kjo qeveri e qendrës së djathtë nuk do të limitoi kurrë liritë e qytetarëve e të sipërmarrjeve. Do t'i vëmë në provë me fakte edhe në të drejtat e lirive civile e të abortit e do të kuptohet se kush gënjente në fushatën elektorale."

Qeveria Meloni synon të mbaj në siguri e kontroll dhe kufijtë detarë e tokësor nga fluksi i pakontrolluar e i paligjshëm i emigracionit klandestin.

"Nuk do të vëmë në diskutim të drejtën e azilit për refugjatët që largohen nga lufta e persekutimi, por nuk do të lemë që të jenë skafistët të vendosin e të bëjnë seleksionimin e hyrjes së emigrantëve në kufijtë italianë. Do të rikuperojmë misionin detar të operacionit evropian Sophia, që vendos bllokun detar për mjetet lundruese me emigrantë që nisen nga Afrika e Veriut"

Forcimi i masave ndihmëse në mbështetje të ekonomisë së familjeve e sipërmarrjeve, ulja e inflacionit, borxhit publik, paqe fiskale, taksë e sheshtë për sipërmarrjet me faturim deri në 100 mijë euro, modernizimi i Italisë, vlerësimi i sektorëve strategjikë e prodhimeve vendase, janë disa nga propozimet e prezantuara nga programi i qeverisë.

Giorgia Meloni kujtoi në fjalën e saj kritikat e forta që e kanë etiketuar si "fashiste".

"Liria e demokracia janë elementë dallues të civilizimit europian modern tek i cili gjej veten e ndryshe nga ata që e instrumentalizojnë, nuk provoj simpati e afërsi për asnjë regjim antidemokratik, përfshirë dhe fashizmin. Gjithmonë jam shprehur se ligjet raciale të 1938 janë pika më e ulët dhe me turpshme e historisë italiane."

Duke kujtuar prejardhjen e thjeshtë familjare e rrugëtimin e saj politik, Giorgia Meloni kujtoi shprehjen angleze "underdog", i sfavarozuari që përmbys të gjitha parashikimet.

"E synoj të bëj këtë, të prish të gjitha parashikimet. Mbërrita deri këtu jo nga krahët e një konteksti familjar e as nga miqësitë influencuese, Do të prezantoj atë që anglezët e quajnë underdog, i pafavorizuar që për t'u afirmuar rrëzon të gjitha parashikimet, E do ta bëj këtë me një skuadër të vlefshme, me besimin e punën e atyre që do të votojnë pro, e me refuzimin e atyre që do të votojnë kundër."