“Plan marshall” për Ukrainën, BE mbledh ekspertët në Berlin
Eksperët dhe zyrtarët më të lartë evropianë janë bërë bashkë për të hartuar një plan Marshall për rindërtimin e Ukrainës. Gjermania që qëndron në front të parë thotë se këto nuk janë premtime, por plane të mirëfillta që do të zbatohen
Përkundrejt armatimit që dërgojnë në frontin e luftës, evropianët kanë nisur diskutimet teknike për një “plan Marshall” për rindërtimin e Ukrainës.
Në front të parë janë gjermanët. Në Berlin, këtë të martë, janë mbledhur zyrtarë dhe teknicienë nga gjithë vendet evropiane për të dakordësuar këtë plan.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen janë zyrtarët që kanë thërritur kërë konferencë ekspertësh.
"Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë. Por do të përfundojë," tha Scholz. “Dhe kur të ndodhë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës dhe betejës së saj për siguri, liri dhe demokraci”, shtoi ai.
Kjo ngjarje që ruan një rëndësi të madhe, ku marrin pjesë ekspertë, përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, nuk është konferencë donatorësh, por ka për qëllim diskutimin e mjeteve të qëndrueshme për rindërtimin e Ukrainës në vend të dhënies së premtimeve financiare, tha Berlini.
Evropianët duan të ecin në gjurmët e amerikanëve në këtë rast. Plani Marshall ishte një nismë e sponsorizuar nga SHBA që ndihmoi në ringjalljen e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.
