Itali, nis "beteja" kundër emigracionit ilegal
Qeveria e re italiane kërkon të vendosë rregull e barazi në menaxhimin e fluksit të emigrantëve klandestinë që çdo ditë e kryesisht përmes kufijve të saj detarë, por dhe tokësorë hyjnë ilegalisht në Itali.
Barazi në shpërndarjen e emigrantëve mes vendeve anëtarë të Bashkimit Europian, ligjshmëri në pranimin e strehimit vetëm për ata që plotësojnë kushtet e statusit të refugjatit politik e humanitar, e jo një sistem ilegal emigrantësh që ushqen e pasuron skafistët, por një emigracion i qeverisur përmes flukseve të orientuara sipas nevojshmërisë që ka Italia e siç bëjnë dhe vende të tjera të botës, është vizioni i qeverisë Meloni e një nga premtimet e saj gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 shtatorit.
Matteo Salvini, Zëvendëskryeministri e Ministri i Infrasrukturës, i sapo emëruar në qeverinë Meloni, nisi ditën e parë të punës së tij me një mesazh të qartë; të luftojë emigracionin klandestin.
Ai është takuar me Komandantin e Përgjithshëm të Rojes Bregdetare Italiane, Admiralin Nicola Carlone e përmes një njoftimi mediatik informon se ky takim frytdhënës ka qenë i vlefshëm dhe për të diskutuar mbi emigracionin e anijet me emigrantë klandestinë që po i drejtohen brigjeve italiane.
"Aktualisht, shprehet ai, janë dy anije me emigrantë në zonën libiane, e që së shpejti mund të mbërrijnë në brigjet tona," tha ai.
Roja Bregdetare Italiane me mbi 10 mijë trupa ka një rol të rëndësishëm në sigurinën e ruajtjen e kufijve detarë të vendit e në luftën kundër trafiqeve ilegale.
Ministri Salvini që dikur ka mbuluar rolin e ministrit të brendshëm në qeverinë Conte, tashmë në rolin drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës ka fuqinë vendimarrëse për të ndaluar ankorimin në portet italiane të anijeve humanitare që asistojnë e ndihmojnë emigrantë në vështirësi që përmes barkave e gomoneve kapërcejnë Mesdheun.
Sipas nenit 83 të kodit të lundrimit "ministri mund të limitojë ose të ndalojë tranzitin apo ankorimin e anijeve, për motive të sigurisë publike, sigurisë detare e për mbrojtje të ambientit detare.
Në krye të Ministrisë së Brendshme në qeverinë Meloni është zgjedhur Matteo Piantedosi, ish-shef i kabinentit të Matteo Salvinit në kohën kur ai ishte ministër i brendshëm, e bashkëpunimi i mirë që kanë me njëri tjetrin, mund të çojë dhe në një vendim të përbashkët mes dy ministrive, për mbylljen e porteve me qëllim ndalimin e fluksit të madh të emigrantëve klandestinë.
Edhe pse është ende shpejt për të kuptuar nëse do të aktivizohet një vendim i tillë, takimi i Salvinit me kreun e Rojes Bregdetare Italiane, përcjell idenë se "beteja" ndaj emigrantëve të paligjshëm sapo ka nisur.